Çfarë do të thotë të jesh një lider i vërtetë
Shumë shpesh dëgjojmë fjalën lider. Njerëzit e përdorin për këdo që ka pushtet, që komandon, që imponon mendimin e tij ose që udhëheq një grup të caktuar. Por e vërteta është se jo të gjithë ata që quhen “liderë” janë me të vërtetë të tillë. Në fakt, shumica e atyre që bota i quan liderë nuk janë liderë të mirëfilltë.
Arsyeja është e thjeshtë: shumica e njerëzve nuk e kanë një kuptim të qartë se çfarë është lidershipi i vërtetë. Ata mendojnë se lidershipi lidhet me forcën, me autoritetin, me aftësinë për të dominuar të tjerët ose për të manipuluar dobësitë dhe pasiguritë e tyre. Një “lider i rremë” shpesh perceptohet si “njeriu i fortë”, por kjo forcë nuk sjell rritje, vetëm frikë dhe varësi.
Ndërsa lidershipi i vërtetë është krejt tjetër. Ai nuk është të kesh pushtet mbi të tjerët, por t’u japësh pushtet të tjerëve. Nuk është të kontrollosh, por të shërbesh. Nuk është të përdorësh njerëzit për interesat e tua, por t’i frymëzosh ata të zbulojnë forcën dhe vlerën e tyre.
Një lider i vërtetë nuk matet nga numri i njerëzve që e ndjekin, por nga numri i njerëzve që ai ka ndihmuar të besojnë tek vetja. Ata që kanë qenë pranë një lideri të tillë nuk thonë “ai bëri gjëra të mëdha”, por:
“Falë tij, unë zbulova fuqinë time. Ai më ndihmoi të kuptoj vlerën që mbaj brenda vetes.”
Ky është ndryshimi thelbësor: lidershipi i rremë ka të bëjë me fasadën, me veprat që duken. Lidershipi i vërtetë është një udhëtim i brendshëm. Është një proces rritjeje dhe njohjeje të vetes, që pastaj bëhet frymëzim për të tjerët. Një lider i tillë nuk të thotë çfarë të bësh, por të shtyn të mendosh, të besosh dhe të veprosh në përputhje me potencialin tënd.
Nëse duam më shumë liderë të vërtetë, atëherë duhet të ndryshojmë mënyrën se si i shohim ata. Lideri i vërtetë nuk është ai që ka titullin, pushtetin apo duartrokitjet. Lideri i vërtetë është ai që të frymëzon të bëhesh më shumë nga ç’je sot, ai që të jep besim dhe që e bën evoluimin tënd personal një prioritet.
Sepse lidershipi i vërtetë nuk është thjesht të bësh. Është, mbi të gjitha, të bëhesh.
Gerhard Dibra une Jam Fuqia Ime



